TVR në të gjitha rrjetet e transmetimit në Kosovë dhe platformat e kanaleve shqiptare në botë...

Fjala e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në Parlament

September 12, 2019

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi sot para deputetëve në seancë plenare projektligjin “Për ratifikimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë”.

Në fjalën e saj, Ministrja Denaj tha se marrëveshja është arritur pas negociatave disa vjeçare mes dy vendeve dhe ratifikimi i saj nga Parlamenti do të krijojë mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada.

Në bazë të marrëveshjes, theksoi Ministrja, asnjë qytetar shqiptar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

“Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë’, u shpreh Ministrja.

Fjala e plotë e Ministres Denaj në Parlament:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Projektligji “Për Ratifikimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen Shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë” që pritet të ratifikohet sot në Kuvend, është pjesë e procesit të koordinimit të skemave të mbrojtjes shoqërore ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera, ashtu siç është parashikuar në programin politik të Qeverisë. Kjo marrëveshje vjen në vazhdën e një sërë marrëveshjeve në këtë fushë, si p.sh. Belgjikën, Luksemburgun, Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Rumaninë, Republikën Çeke, Gjermaninë, Austrinë, Turqinë dhe Kosovën.

Marrëveshja që ratifikojmë sot është finalizimi i negociatave disa vjeçare midis qeverive të dy vendeve. Marrëveshja u miratua në parim me VKM nr. 336, datë 22.04.2015 dhe u nënshkrua në 30.04.2019 në Kanada nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Kanadeze. Sot jemi në fazën e fundit, ratifikimi është procesi përfundimtar me anë të të cilit Kuvendi i Shqipërisë jep miratimin përfundimtar të projektligjit.

Marrëveshja e mbrojtjes shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë konsiston në ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore dhe bazohet në parimin e trajtimit të barabartë të punëtorëve në punësim, trajtimin me përfitime dhe të ardhura. Gjithashtu, ajo garanton që personat që lëvizin nga një vend në tjetrin dhe personat në varësi të tyre e të mbijetuarit, të ruajnë të drejtat e fituara apo që janë duke i fituar. Bashkimi i periudhave të siguruara sipas legjislacioneve kombëtare të ndryshme merren në konsideratë për të siguruar të drejtën e përfitimeve dhe llogaritjen e tyre.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe Akti i Sigurimeve për të Moshuar e Plani Kanadez i Pensionit, në Kanada. Palët kanë rënë dakord, të japin përfitime në para për pensionet e pleqërisë, invaliditetit dhe ato familjare, bazuar në legjislacionet respektive të mbrojtjes shoqërore.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje krijon mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada, si dhe shtetasve kanadezë të cilët vijnë për të punuar në Shqipëri si të punësuar nga kompani investitore në industrinë nxjerrëse, minerare e energjitike, apo të vetëpunësuar. Në bazë të marrëveshjes, asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’ju paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Së fundmi marrëveshja krijon hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve shqiptarë përvecse në Kanada edhe në vendet e tjera me të cilët të dy vendet kanë marrëveshje dy palëshe.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe ju ftoj të votojmë këtë marrëveshje të rëndësishme për komunitetin shqiptar që punon dhe jeton në Kanada.

Evente nga Diaspora

Toplista TVR

Kadiri James - Ylli i ri shqiptar ne Canada

Profile nga Diaspora

#
Dr. Luljeta Shaqiri, psikologia e respektuar1
Ajo ishte vetëm 14 vjeçare, pa asnjë njohuri të gjuhës gjermane, kur u regjistrua në klasën e dytë të shkollës së mesme, një vit më vonë pati fatin të jetë praktikante në asistencë stomatologjike dhe përfundimisht, diplomoi: doktore e psikologjisë në Universitetin e Cyrihut. Një histori e paparë e suksesit. Historitë e suksesit shpesh shihen
Më Shumë