Janari i 2024-së i mirë për liberalizimin e vizave – bllokut të BE-së i shtohen Spanja, Emiratet Arabe dhe Izraeli
January 30, 2024Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti kanë filluar të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian. Lajmi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, ka krijuar një periudhë të re emocionuese për të gjitha komunitetet në vend. Pas shumë vitesh pritje dhe përpjekje, heqja e vizave solli një ndryshim të madh në perspektivën e lëvizjes së lirë drejt vendeve të BE-së. E pas hyrjes në fuqi të vendimit për vizat, erdhi edhe një lajm tjetër i mirë për qytetarët e Kosovës. Më 5 janar u bë e qartë se ata do të mund ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare. Pas Spanjës, vizat për qytetarët e Kosovës i kanë hequr edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri të ditur se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka pranuar propozimin e saj për heqjen e vizave për kosovarët. Në këtë shtet kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza nga 22 shkurti i këtij viti. Kështu njoftoi ditë më parë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. “Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, sot kemi pranuar Notën Verbale nga Ministria e Jashtme e EBA-s, përmes së cilës jemi informuar se data e hyrjes në fuqi të Memorandumit të Mirëkuptimit, të nënshkruar me datën 11.01.2024, do të hyn në fuqi me datën 22.02.2024”, tha ajo. E siç duket heqja e vizave për zonën Schengen i ka hapur dyert Kosovës dhe qytetarëve të saj edhe për në vendet tjera që s’janë pjesë e BE-së. Një vendim për të udhëtuar pa viza së fundmi e ka marrë edhe shteti i Izraelit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të hënën se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, që do t’ua mundësojë atyre udhëtimin lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme për qëllime turistike. Presidenca e Kosovës tha në një komunikatë se Osmani u njoftua për vendimin e Izraelit nga ambasadorja izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, gjatë një takimi të hënën, shkruan Telegrafi. Ky vendim i Izraelit – i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Toplista TVR
Donatoret