KE me vlerësime dhe kritika për Kosovën, liberalizimi i vizave “me urgjencë”
October 11, 2022Komisioni Evropian përpiloi tekstin e paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen më 12 tetor.
Radio Evropa e Lirë siguroi qasje në draftet e këtyre dokumenteve, të cilat nuk pritet të pësojnë ndryshime të mëdha deri në miratim. Komisioni nënvizon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur ndikim ndryshimi i rrethanave globale, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ndërsa merret në mënyrë të veçantë me situatën ekonomike atje, zbatimin e planit evropian për investime në Ballkanin Perëndimor, agjendën e gjelbër evropiane, planet për prokurim të përbashkët të energjisë dhe përshtatjen e vendeve të këtij rajoni me politikat e BE-së. Në draftin e raportit të progresit për Kosovën, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë. Liberalizimi i vizave, “me urgjencë” Në aspektin politik, Kosova vlerësohet për përshtatjen me qëndrimet e BE-së ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë. Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje. Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në draft-raport thuhet se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmendet edhe takimi më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve. Aty përmendet edhe pajtimi për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve të energjisë dhe për udhëtimin vetëm me letërnjoftime midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nga të dyja vendet kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes tyre. “Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të tjera substanciale për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në të kaluarën, si dhe të kontribuojë në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, për normalizimin e raporteve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe kyçe për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë avancimin në rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, thuhet në draftin e raportit. Menaxhim “i dobët” i agjendës legjislative Komisioni, po ashtu, thekson se “Kosova ka pasur stabilitet politik”, por nuk e vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit të Kosovës. “Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se Qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.Toplista TVR
Donatoret