TVR në të gjitha rrjetet e transmetimit në Kosovë dhe platformat e kanaleve shqiptare në botë...

Unifikimi diplomatik midis Kosovës e Shqipërisë, në pikëpyetje

September 11, 2019

Ende pa filluar me zbatimin e marrëveshjes për unifikimin e misioneve diplomatike e konsullore midis Kosovës dhe Shqipërisë, në Prishtinë është shtuar konfuzioni nëse një marrëveshje e tillë është e nevojshme dhe e duhur.

Hezitimet për këtë marrëveshje, janë pikërisht përbrenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, e cila edhe e kishte arritur marrëveshjen me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm, tashmë në largim, Behgjet Pacolli, thotë se marrëveshja e arritur është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se në momentin e shpalljes në gazetën zyrtare, kjo marrëveshje, në bazë të nenit 19 të Kushtetutës ka marrë fuqinë e ligjit të zbatueshëm në rendin juridik të Republikës së Kosovës.

“Sa i përket fillimit të zbatimit të marrëveshjes në fjalë, dy ministrat kanë filluar veprimet për zbatim para dy javësh dhe kanë autorizuar Sekretarët e Përgjithshëm, që të fillojnë konkretizimin e çështjeve, zbatimin e marrëveshjes, pasi që zbatimi i marrëveshjes kërkon nxjerrjen edhe të protokolleve shtesë. Lidhur me këtë, MPJ e Kosovës ka bërë një analizë të zbatimit të kësaj marrëveshje dhe këtë analizë do të ndajë me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë”, ka deklaruar Zyberaj

Por, një qëndrim tjetër shpreh zëvendësministri në dorëheqje, Anton Berisha, sipas të cilit, marrëveshjet e tilla nuk i ndihmojnë Kosovës.

“Nuk mundet ministri i Jashtëm t’ia delegojë kompetencat shtetërore një shteti tjetër, pavarësisht që është Shqipëria në pyetje ose cilido shtet qoftë. Do të thotë, duhet të ketë një vendim të një niveli më të lartë që t’i jap kompetencat e shtetit. Kështu që ajo më shumë ka qenë një lloj folklorizmi i mbuluar me fjalë të mëdha. E në fakt ajo (marrëveshja për unifikim) është si të them, mosnjohje e vetvetes”, tha Berisha.

Në anën tjetër, Zyberaj nga kabineti i ministrit Pacolli thotë se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka respektuar të gjitha procedurat paraprake për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Sipas tij, në muajin mars të vitit 2019, Qeveria e Kosovës ka aprovuar nismën për fillimin e negocimit të kësaj marrëveshje.

“Kjo marrëveshje është ratifikuar sipas nenit 18.2 të Kushtetutës nga presidenti i Republikës së Kosovës dhe është shpallur në gazetën zyrtare. Marrëveshja në fjalë është hartuar nga një grup punues në mes të dyja ministrive të Jashtme i udhëhequr nga Sekretarët e Përgjithshëm”, është shprehur Zyberaj.

Ndërkohë, Anton Berisha thotë se të gjitha marrëveshjet apo vendimet e bëra nga ministri aktual i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duhet të rishqyrtohen.

“Duhet të rishqyrtohen të gjitha vendimet e tij, sepse ai vendimet i ka marr duke mos i analizuar, mos i studiuar dhe duke mos u konsultuar. Vendimet që merren prej Ministrisë së Jashtme kanë efekte ndërkombëtare dhe si të tilla është i domosdoshëm konsultimi me të gjitha institucionet. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi që ne nuk mund t’iu delegojmë ingerencat tona shteteve tjera. Ingerenca që i takojnë shtetit sovran. Ne në Kushtetutë e kemi të definuar shtetësinë”, tha pos tjerash Berisha.

Përplasjet në mes ministrit (këshilltarit të tij) dhe zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës vijnë në kohën kur Kosova është futur në procesin zgjedhor.

Të dy zyrtarët e lartë që përfaqësojnë diplomacinë e Kosovës, u takojnë subjekteve të ndryshme politike (Aleancës Kosova e Re dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), subjekte këto që në garën e ardhshme zgjedhore hyjnë si parti rivale dhe jo si parti partnere, siç ishin në përbërjen aktuale të qeverisë në largim.

Me dy korrik të vitit 2019, ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, kanë nënshkruar marrëveshjen për unifikimin e misioneve diplomatike dhe konsullore dhe bashkëpunimin strategjik në fushën e politikës së jashtme.

Ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli, pati thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është “është një hap i madh përpara në integrimin tonë kombëtar, gjë që do të bëjë më të fortë veprimin e përbashkët global”.

Kurse, homologu i tij, Gent Cakaj pati shkruar në Twitter se marrëveshja “hap horizonte të reja për veprime të përbashkëta institucionale”.

Pos tjerash, me atë marrëveshje, sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, përcaktohen prioritetet afatgjata strategjike dhe bashkërendimi i qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare.

Njëkohësisht përcaktohet edhe marrja e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare.

Evente nga Diaspora

Toplista TVR

Kadiri James - Ylli i ri shqiptar ne Canada

Profile nga Diaspora

#
Dr. Luljeta Shaqiri, psikologia e respektuar1
Ajo ishte vetëm 14 vjeçare, pa asnjë njohuri të gjuhës gjermane, kur u regjistrua në klasën e dytë të shkollës së mesme, një vit më vonë pati fatin të jetë praktikante në asistencë stomatologjike dhe përfundimisht, diplomoi: doktore e psikologjisë në Universitetin e Cyrihut. Një histori e paparë e suksesit. Historitë e suksesit shpesh shihen
Më Shumë