Rumania e rrezikon përjashtimin nga UEFA nëse s’luan me Kosovën
October 11, 2022Federata Rumune e Futbollit ka rënë në hall të madh prejse e kuptoi që Kombëtarja e këtij vendi ka përfunduar në një grup me Kosovën. Kjo Federatë e ka frikën të zotohet se ndeshja me “Dardanët” do të luhet, duke e pasur parasysh që ky vend nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, shkruan “Gazeta Express”. Në Federatën Rumune dje thanë se do të konsultohen me Qeverinë e Rumanisë për të dalë apo jo në fushë kundër Vedat Muriqit me shokë, në kualifikimet e Euro 2024. Madje, një ish-ministër rumun shkoi edhe më larg sa që sugjeroi që Kombëtarja e këtij vendi të mos paraqitet fare në dy duelet me Kosovën edhe nëse i humbë të dyja takimet në tavolinë, 0:3. Por, ky nuk do të ishte dënimi i vetëm për rumunët. Mediat rumune kanë kontaktuar me UEFA-n dhe një burim i tyre brenda shtëpisë së futbollit evropian iu ka thënë se “nëse Rumania nuk i zhvillon ndeshjet me Kosovën, Federata Rumune e Futbollit do të përballet me pasoja të rënda, të cilat mund të çojnë deri në përjashtimin e kësaj Federate nga UEFA”. Spanja pranoi të përballej me Kosovën në kualifikimet e Botërorit 2022 edhe pse nuk e njeh atë si shtet, edhe pse vendin tonë e konsideroi si “territor”. Kurse, Ukraina, një tjetër vend që nuk e njeh shtetësinë e vendit tonë, kishte kërkuar që ndeshjen si vendëse me Kosovën të luheshin në terren neutral, respektivisht në Krakow të Polonisë, shkruan “Gazeta Express”. UEFA i ka përmendur shumë mirë shtetet që nuk mund të përballen në mes vete në kualifikime për shkak të politikës, duke i përfshirë këtu duelet eventuale të Kosovës me Serbinë dhe me Bosnje e Hercegovinën. Vendet tjera si Qiproja, Spanja, Greqia, Rumania etj., që nuk e pranojnë Kosovën si shtet, e kanë të obligueshme megjithatë të përballen me “Dardanët”. Të gjitha këto janë përballur tashmë me ekipin kombëtar kosovar. Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi final i Rumanisë, e cila po heziton të luajë me Kosovën, por që mund të bartë pasoja të rënda nëse refuzon ta bëjë një gjë të tillë. Krahas Kosovës dhe Rumanisë, në grup për eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Evropian janë edhe Zvicra, Bjellorusia, e cila po ashtu nuk e njeh Kosovën shtet, Izraeli dhe Andorra
Toplista TVR
Donatoret