Sulmet kibernetike, Shqipëria i këput marrëdhëniet me Iranin
September 7, 2022Qeveria shqiptare ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin duke e fajësuar për sulmin masiv kibernetik të faqeve qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania më 15 korrik. Vendimin drastik e ka bërë me dije Kryeministri Edi Rama gjatë një video mesazhi. Kryeministri tha se qeveria i ka dërguar notë zyrtarë ambasadës së Iranit dhe i ka kërkuar largimin brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe personelin e sigurisë. “Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt te menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike te Iranit. Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithe personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, pershfire edhe personelin e sigurise. Kjo mase ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar, eshte ne proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.”, tha Rama. Bazuar në hetime Rama u shpreh se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. “Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, shtoi kryeministri. Megjtihatë kryeministri Rama tha se dëmet janë të vogla, ndërsa sistemet u rivunë në punë. “Në 15 Korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, u shpreh më tej kreu i qeverisë shqiptare.
Toplista TVR
Donatoret